'Ditari i Ana Frankut' nuk u shkrua si vepër letrare, por janë shënimet e thjeshta të një vajze të re në periudhën e formimit të personalitetit të saj. Kjo vajzë e kalon periudhën e adoleshencës në kushte të tmerrshme të mungesës të gjërave të domosdoshme për atë moshë, si: ushqimit, ajrit, drita dhe liria.Ana rridhte nga një familje çifute që u transferua në Holandë me të ardhur në fuqi nazistët. Po edhe këtu pushtimi nazist i 1940-s dhe ndjekjet kundër çifutëve e detyruan familjen Frank, bashkë me disa miq, familjen çifute Van Dan dhe dentistin Dusel, të hidheshin në ilegalitet me ndihmën e disa holandezëve, që morën përsipër t’i fshihnin. Kjo periudhë ilegaliteti zgjati dy vjet, gjersa gestapoja arriti t’i gjente e t’i arrestonte. Tërë çifutët e fshehur, me përjashtim të Oto Frankut, babait të Anës, që mbeti gjallë, e mbaruan jetën nëpër kampet e përqendrimit, ku u mbyllën nga nazistët. Dy nëpunëse holandeze, që e kishin ndihmuar familjen Frank gjetën në strehimin ku qenë fshehur ata, pas bastisjes së gestapos, ditarin e Anës, që në vitin 1947 do të botohej dhe do të zgjonte admirim te lexuesit.